Shërbimi i sterilizimit jo më PPP, krijohet shoqëria shtetërore me kapital 200 mln lekë
Qeveria krijon një shoqëri shtetërore për sterilizimin spitalor, pas kritikave dhe hetimeve ndaj kontratës PPP.
Krijimi i shoqërisë shtetërore të sterilizimit
Qeveria ka vendosur të krijojë një shoqëri aksionare me kapital 100 për qind shtetëror për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit në të gjitha spitalet publike të vendit, në një kohë kur kontrata aktuale e sterilizimit me PPP vijon të jetë nën akuza për korrupsion dhe abuzim me fondet publike. Vendimi për krijimin e “Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” SHA është botuar në Fletoren Zyrtare.
Kapitali fillestar dhe asetet
Vendimi parashikon një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh nga buxheti i shtetit për vitin 2026, si dhe transferimin pa pagesë të aseteve që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës koncesionare të nënshkruar në vitin 2015. Injektimi i kapitalit fillestar do të kryhet menjëherë pas regjistrimit të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Pikëpyetje mbi modelin e ri
Krijimi i një shoqërie aksionare të veçantë për sterilizimin spitalor ka ngritur pikëpyetje serioze mbi arsyen pse një shërbim që historikisht ka qenë pjesë e rutinës bazë të spitaleve po nxirret jashtë tyre dhe po institucionalizohet si entitet më vete. Sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale konsiderohet një funksion thelbësor i çdo spitali publik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e pacientit dhe praktikën mjekësore të përditshme, dhe për dekada është realizuar nga struktura të brendshme spitalore pa nevojën e një operatori të veçantë juridik.
Praktikat ndërkombëtare
Në shumicën e vendeve me sisteme të zhvilluara të kujdesit shëndetësor, sterilizimi është pjesë integrale e funksionit të spitalit dhe jo një shërbim i jashtëm me kontrata koncesionare apo operatorë të veçantë juridikë. Ky proces kryhet nga Central Sterile Services Department, i njohur edhe si Sterile Processing Department, një njësi funksionale brenda strukturës spitalore që merret me pastrimin, dezinfektimin, kontrollin, paketimin dhe sterilizimin e instrumenteve mjekësore. Ky model konsiderohet standard ndërkombëtar për garantimin e sigurisë së pacientit dhe parandalimin e infeksioneve spitalore.
Shtrirja e aktivitetit të shoqërisë së re
Sipas vendimit të qeverisë, shoqëria e re shtetërore do të marrë përsipër të gjithë zinxhirin e shërbimeve të sterilizimit, nga furnizimi me instrumente kirurgjikale sterile dhe materiale njëpërdorimëshe, deri te menaxhimi i Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT, trajtimi i mbetjeve spitalore me rrezik biologjik dhe digjitalizimi i procesit. Të gjitha tarifat e shërbimeve do të arkëtohen nga vetë shoqëria, e cila do të financohet nga të ardhurat e saj dhe burime të tjera të ligjshme, duke ruajtur formalisht karakterin e shërbimit publik.
PPP-të, kostot dhe hetimet
Kontratat e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale dhe të dializës, të dyja të nënshkruara në vitin 2016 me afat dhjetëvjeçar, kanë qenë ndër më të kushtueshmet për buxhetin e shëndetësisë dhe përfundojnë këtë vit. Kontrata e sterilizimit është shoqëruar me akuza për fryrje të kostove, pagesa të pajustifikuara dhe procedura të dyshimta prokurimi, që kanë përfshirë edhe hetime nga SPAK.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2017 deri në vitin 2026, kosto reale për sterilizimin ka arritur mbi 15.3 miliardë lekë, rreth 53% më shumë sesa ishte parashikuar në kontratën fillestare prej 10 miliardë lekësh.
Zbatimi i vendimit
Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe ngarkon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me zbatimin e tij. Mbetet e paqartë nëse ky hap përfaqëson një shkëputje reale nga modeli i kritikuar i koncesioneve apo thjesht një riformatim institucional që nuk adreson përgjegjësitë për abuzimet e së shkuarës.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






